Site icon Telegrafi

Aktiviteti i bizneseve në Eurozonë pëson rënie të madhe në gati dy vite

Aktiviteti i bizneseve në vendet e Eurozonës ka pësuar rënien më të madhe në gati dy vite, për të theksuar shenjat se Bashkimi Evropian po shkon drejt recesionit për shkak të rritjes së çmimeve dhe rënies së aktivitetit nga kompanitë e prodhimit dhe të shërbimeve.

Indeksi i S&P Global, një matës kryesor i kushteve të biznesit, ra me 1 pikë duke shkuar në 47.1. Ky është niveli më i ulët i arritur që nga nëntori i vitit 2020, si dhe muaji i katërt radhazi që ky indeks qëndron nën kufirin vendimtar prej 50 që ndan rritjen e aktivitetit nga rënia e tij.

Rezultatet e këtij sondazhi të përmuajshëm, i cili tregoi rënien e prodhimit të fabrikave, reduktimin e porosive të reja, rritjen e çmimeve të produkteve dhe përkeqësimin e pritshmërive, ishin më keq sesa pritshmëritë e ekonomistëve të anketuar nga Reuters.

Prodhuesit raportuan rënie të pestë radhazi në prodhimin e fabrikave, duke nënvizuar sfidat që rëndojnë mbi ekonominë e eurozonës, ndërsa kompanitë e shërbimeve thanë se porositë e reja janë reduktuar me një ritëm më të shpejtë pasi konsumatorët po përballen me rritjen e kostove të energjisë dhe të ushqimit, të cilat sollën rënien e shpenzimeve të tyre.

Kompanitë në të gjithë sektorët raportuan se presionet e kostove kanë pësuar një rënie të lehtë, por çmimet e mallrave dhe të shërbimeve po rriteshin me një normë që, sipas S&P, është norma e gjashtë më e shpejtë që nga fillimi i matjes së këtyre të dhënave në vitin 2002.

Aktiviteti i bizneseve gjermane pati rënie si në sektorin e prodhimit, ashtu edhe në atë të shërbimeve, duke sjellë kështu rënien e PMI-së së këtij vendi me 1.6 pikë, duke e çuar atë në 44.1 pikë, niveli më i ulët që nga maji i vitit 2020. /Telegrafi/

Exit mobile version