Site icon Telegrafi

Aktivitetet proshiptare që ndikuan në politikën e Woodrow Wilsonit

Woodrow Wilson (1856-1924) është burrështetasi dhe akademiku që shërbeu si presidenti i 28 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Wilson ka hyrë në histori si presidenti amerikan i cili, në përfundimin e Luftës së Parë Botërore, luajti rolin kryesor në Konferencën e Paqes të Parisit duke ndikuar në mënyrë fondamentale në nxjerrjen e Traktait të Versajit. Wilson, me propozimin e tij që përmbante ’14 Pika’ ndikoi në ndryshimin e parimeve të diplomacisë, politikës dhe si rrjedhojë
edhe pamjes së hartës politike të botës.

Rezultati i parë që doli nga propozimi i Wilsonit (14 Pika) ishte krijimi i Ligës së Kombeve dhe zbatimi i parimit të vetëvendosjes. Nga viti 1920 parimi i vetëvendosjes u bë parimi kryesor në krijimin e hartës së re të Evropës dhe botës. Njëkohësisht, ky parim ishte baza kryesore mbi të cilën u ngrit rendi i ri botëror pas Luftës së Parë e cila përfundoi në vitin 1918.

Parimi i vetëvendosjes, sipas definicionit klasik uilsonian, e ligjëson të drejtën e komuniteteve apo etnive që të arrijnë pavarësinë e plotë të organizuar me të gjitha karakteristikat e një qeverie të pavarur brenda një territori shtetëror sovran. Nga kjo, historikisht doli shkatërrimi i perandorive (austro-hungareze, otomane dhe ruse) si hap i arsyeshëm dhe i domosdoshëm. Ky parim u zgjerua edhe më vonë gjatë periudhës se dekolonizimit kur u shpërbë Perandoria Britanike dhe së voni edhe kur u zhbë federata jugosllave nga e cila doli edhe çështja e Kosovës me të cilën merret bota edhe sot.

Megjithatë, Woodrow Wilson, në mënyrë të posaçme hyri në historinë dhe zemrat e shqiptarëve për shkak të parimit të vetëvendosjes, i cili në fakt i doli në ndihmë shtetit shqiptar që ishte rrezikuar edhe në Konferencën e Paqes në Paris. Në janar të vitit 1920, gjatë kësaj konference, përfaqësuesit diplomatikë të Britanisë së Madhe, Francës dhe Greqisë kishin negociuar mënyrën e ndarjes së territorit të Shqipërisë në mes Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë.

Edhe pse këto negociata ishin sekrete, presidenti Wilson arriti t’i bllokojë dhe që të mos merrnin formën e marrëvëshjes ndërkombëtare. Me veprimet tjera që ndërmori delegacioni amerikan në këtë konferencë u sigurua kontinuiteti i shtetit shqiptar dhe u forcua edhe më shumë kur Shqipëria u bë anëtare e Ligës së Kombeve dhe kur administrate amerikane e njohu përfaqësuesin diplomatik shqiptar në Washington.

Ky ishte qëndrimi i atëhershëm i administratës amerikane për Shqipërinë të cilit shtet ia siguroi të ardhmen. Deri te adaptimi i këtij qëndrimi me siguri kanë ndikuar shumë faktorë, sikur që ndodhë në çdo proces të vendimmarrjes.

Më poshtë do të shohim aktivitetin e disa individëve apo organizatave të cilat kanë qenë aktive në drejtim të krijimit të influencës ndaj administratës amerikane që udhëhiqej nga presidenti Wilson. Organizata kryesore që është angazhuar në vijën e ushtrimit të ndikimit në administratën amerikane ka qenë ‘Vatra’ dhe ‘Albanian Committee’ në Londër, veprimtaria e të cilit nuk është hulumtuar sa duhet. Natyrisht që ka patur edhe individë që kanë kontaktuar administratën e Wilsonit.

Me 12 tetor të vitit 1918, Kristo dhe Sevasti Dako, së bashku me Dimitri Balën, i kanë dërguar presidentit Wilson një memorandum me titull ‘Albania’s rights, hopes and aspirations’ (Të drejtat e Shqipërisë, shpresat dhe aspiratat). Këta tre autorë njëkohësisht janë nënshkruar edhe si udhëheqës të ‘Albanian National Party’ (Partia Kombëtare Shqiptare). Memorandumi i është dërguar edhe Foreign Office-it britanik dhe qeverive të Fuqive të Mëdha. Ky dokument ka përmbajtje të ngjeshur me ngjarjet e rëndësishme historike të shqiptarëve.

Memorandumi është përpiluar duke e patur parasysh situatën ndërkombëtare të krijuar pas luftës në të cilën janë rrezikuar shtetet apo kombet e vogla. Situata ishte brengosëse për shqiptarët pasi që kishte shenja që Ballkani do të ‘rregullohej’ edhe një herë. Autorët e memorandumit i drejtohen presidentit amerikan me shpresë se ai do të gjente mundësi të merrte në mbrojtje shtetin shqiptar
edhepse për SHBA-të ky vend ishte i largët. Në lidhje me këtë kërkesë, në letrën përcjellëse thuhet:

‘Kemi nderin që t’ua paraqesim këtë deklaratë [memorandum] në lidhje me të drejtat e Shqipërisë, shpresat dhe aspiratat dhe me përulje e lusim ekselencën tuaj që të marrë përsipër barrën e ndershme dhe të shfrytëzoj influencën fisnike të kombit tuaj në Konferencën e Paqes ku do të mbrohet interesi vital i kombit tonë që nuk ka miq.’

Pastaj, memorandumi që ka për qëllim informimin e presidentit Wilson, flet për popullin shqiptar si popullin më homogjen, më kompakt, më të vjetër në Evropë dhe si i tillë, kombi më i rëndësishëm dhe faktori kryesor në Ballkan. Natyrisht, aty përfshihet gjuha, origjina, vetëdija e lartë kombëtare, traditat dhe zakonet që i bëjnë shqiptarët të dallohen nga kombet tjera.

Një dokument tjetër që i është dërguar presidentit Wilson përmban rëndësi të veçantë. Fjala është për ‘Gjashtë arsyet pse Amerika duhet të bëhet mbrojtëse e Shqipërisë’? Autori i këtij dokumenti është Telford Erickson, një personalitet i njohur amerikan dhe mik i shqiptarëve, i cili po ashtu ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Paris që vinte nga mesi i Vatrës.

Arsyeja e parë që e paraqet Erickson është parimi moral. Pra, SHBA duhet të mbrojnë Shqipërinë për shkak se e obligon morali, ashtu siç e ka i forti për detyrë ta mbrojë të dobëtin. Arsyeja e dytë ka të bëjë me interesin e drejtësisë dhe paqes. Arsyeja e tretë është thirrja për shpëtimin e një kombi të veçantë. Arsyeja e katërt është për shkak se me rastin e Shqipërisë përligjen idealet e larta amerikane kurse, sipas arsyes së pestë, Shqipëria është investim i sigurt për Amerikën.

Por, në renditjen e arsyeve të mbrojtjes së Shqipërisë, Ericson, si arsye të gjashtë ofron faktin që Shqipëria paraqitet si shkak për t’i dhënë Amerikës rol definitive në konstruktimin e botës.

Pika apo arsyeja e gjashtë meriton vëmendje të veçantë. Pas Luftës së Parë Botërore, SHBA-të hyjnë në binarët e krijimit të superfuqisë botërore dhe Ericson këtu paralajmëron nevojën për politikë intervencioniste të vendit të tij. Në fakt, Ericson, duke qenë mik i shqiptarëve, është edhe lobisti i parë amerikan dhe më i rëndësishmi për Shqipërinë. Megjithatë, arsyeja e gjashtë e Ericsonit u zbatua gati pas një shekulli dhe atë me rastin e Kosovës. Për SHBA-të, siç propozonte dhe parashihte Ericson, Kosova ishte rast që i dha Amerikës rol dhe angazhim serioz në konstruktimin e Ballkanit.

Një ndikim tjetër që është ushtruar në drejtim të presidentit Wilson e ka patur burimin në Londër dhe ka të bëjë me dy personalitete të njohura: Edith Durham, lobiste dhe mike e shqiptarëve, dhe Aubrey Herbert, po ashtu mik i shqiptarëve dhe kryetar i ‘Albanian Committee’ në Londër. Siç dihet, që të dy kanë qenë personalitete me ndikim të madh dhe me siguri miqtë më të mirë që i kanë patur shqiptarët.

Ajo që ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore në relacion me Shqipërinë, për Durhamin ka qenë gjëja më e keqe që mund të imagjinohet. Gjatë kësaj lufte, siç pamë më herët, Franca, Rusia dhe Britania e Madhe e morën përkrahjen e Italisë duke ia premtuar këtij shteti një pjesë në jug të Shqipërisë dhe portin e Vlorës. Si rezultat, Italia nuk do të kundërshtonte dhënien e veriut Serbisë. Me këto premtime dhe marrëveshje të fshehura, Fuqitë e Mëdha e shkelnin Traktatin që e kishin nënshkruar vetë si garantues të pavarësinë së Shqipërisë.

Më 1918, kur doli në shesh sekreti i kësaj marrëveshjeje, Edith Durham, e mllefosur, i shkroi Aubrey Herbertit për t’u ankuar ndaj shokut të tij të ngushtë dhe mikut të shtëpisë, Lloyd George, i cili në dhjetor 1916 u zgjodh kryeministër i Britanisë së Madhe. Lloyd George kishte mbajtur një fjalim të rëndësishëm për luftën, por nuk e kishte përmendur Shqipërinë. Kjo e shqetësoi Durhamin e cila i shkroi Herbertit:

‘Më vjen turp që jam i të njëjtin vend me të [Lloyd George]. Si mundet ky George të ketë fytyrë dhe të ngritet e të flet për të drejtat e kombeve të vogla dhe idetë e mëdha të Britanisë së Madhe kur ai e din se këto janë gënjeshtra të mëdha të cilat e kalojnë imagjinatën.’

Durham i shkroi edhe Foreign Office-it. Sekretari i jashtëm, Arthur Balfour (1848 – 1930), i cili më parë kishte qenë edhe kryeministër, ia ktheu letrën duke u përgjigjur se qeveria britanike do të kujdeset që të respektohen të drejtat e shteteve të vogla. Balfour kishte shkruar se ‘diplomatët britanikë përdorin të njejtin krahën’ për flokët e të gjitha kokave.

Për Durhamin kjo që thoshte Balfour nuk ishte tërësisht e vërtetë. Prandaj, ajo i intensifikoi aktivitetet e saja duke u dërguar letra një numri të madh të diplomatëve dhe politikanëve britanikë por edhe duke shpërndarë pamflete në vende publike. ‘E kam hapur Foreign Offecein tim në emër të shqiptarëve’ – i shkroi Edith Durham mikut të saj Herbert.

Durham, duke i kuptuar rrethanat, nuk shpresonte shumë në qeverinë britanike. Prandaj, filloi t’iu shkruante edhe diplomatëve të Fuqive të Mëdha që merrnin pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Në veçanti, nëpërmes ambasadës amerikane në Londër, ajo kërkonte aleancë me administratën e presidentit Wilson dhe pati sukses në këtë drejtim. Në fillim të vitit 1918 Durham, e gëzuar, i shkroi Herbertit:’Ambasada amerikane është në anën tonë’.

Më në fund, Durham e krijoi lidhjen zyrtare. Ambasada amerikane në Londër, nga Durhami kërkonte më shumë informata, literaturë dhe pamflete për Shqipërinë. Ambasada e dërgoi zyrtarin e saj, profesorin Coolidge, për të biseduar me Edith Durhamin dhe për të mbajtur lidhje të rregullta. Profesori Colidge, sipas Durhamit, ishte shumë mirë i informuar për çështjen shqiptare dhe ishte në kontakt me shqiptarët e Amerikës, sidomos me ata në Boston. Profesori e informoi Durhamin se milioneri amerikan nga Chicago, Charles Crane, kishte dhënë shumë para për çështjen shqiptare dhe se do të shkonte në Paris për Konferencë Paqësore për të lobuar për Shqipërinë. Por, ndihma më e madhe për Shqipërinë duket se ka qene puna e Richard Craneit, djalit të Charlesit. Richard ka qenë sekretar i Robert Lansing, udhëheqësit të delegacionit amerikan në Konferencën Paqësore në Paris. Këtij delegacioni, Durham i dërgoi një memorandum ku jepej një pasqyrë e historisë shqiptare dhe spjegohej nevoja dhe e drejta e ekzistimit të shtetit shqiptar.

Durham, e cila i mbronte shqiptarët në bazë të parimit të nacionalitetit tashti do të gjente përkrahje të fuqishme në doktrinën uilsoniane, baza e të cilës ishte e ndërtuar mbi parimin e vetëvendosjes e që pati efekt në Konferencën e Parisit. Kjo ishte diçka që Durham e çmonte shumë dhe filloi të shkruante në shtypin britanik për të kërkuar nga opinioni, politikanët dhe diplomatët e këtij vendi se pavarësia e Shqipërisë duhet të përkrahet dhe sigurohet sipas parimit të vetëvendosjes që dilte nga doktrina e Woodrow Wilsonit.

Exit mobile version