Site icon Telegrafi

Aktivitet promovues “Të drejtat e udhëtarëve në transportin hekurudhor”

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Kosovës sot bën organizimin e aktivitetit promovues “Të drejtat e udhëtarëve në transportin hekurudhor”, aktivitet ky që organizohet në Stacionin kryesor të trenit në Prishtinë.

Qëllimi i këtij aktiviteti, sipas njoftimit të ARRH-së, është informimi dhe vetëdijesimi i udhëtarëve apo shfrytëzuesve të transportit hekurudhor në Republikën e Kosovës lidhur me të drejtat e tyre që u garantohen në bazë të Ligjit për Hekurudhat e Republikës së Kosovës dhe në bazë të direktivave apo standardeve ndërkombëtare.

Gjatë këtij aktiviteti parashihet që të bëhen biseda interaktive me udhëtarët, se sa ata kanë njohuri për të drejtat e tyre dhe gjithashtu do t’u shpërndahet një broshurë informuese, në të cilën janë paraqitur të drejtat e udhëtarëve të transportit hekurudhor.

Aktiviteti do të vazhdojë me udhëtimin e stafit të ARH-së me tren në linjën Prishtinë–Pejë.

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Kosovës është organ i pavarur që rregullon dhe mbikëqyrë sektorin hekurudhor në përputhje me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe me legjislacionin në fuqi të BE-së, të përshtatshëm për Kosovën në këtë sektor, përkujton ARRH në komunikatë.

Exit mobile version