Seanca ndaj të dyshuarve për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, që ka ndodhur më 4 gusht 2016 do të mbahet sot.
Në sallën ku pritet të mbahet seanca tashmë kanë arritur katër aktivistët e Vetëvendosjes të cilët akuzohen se kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit.
Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atëdhe Arifi do të deklarohen rreth aktakuzës që i ngarkon ata.
Ata kanë vendosur që sot në këtë seancë të paraqiten me fanella me mbishkrimin “Drejtësi për Astritin”, transmeton Telegrafi.
Në një postim në Facebook, zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi ka shkruar se janë gati për siç potencon ai çmontimin e këtij rasti.
“Të përgatitur me e çmontu rastin gjyqësor politik”, ka shkruar Krasniqi.
Të pranishëm në këtë seancë janë edhe sekretari i përgjithshëm i LVV-së, Dardan Molliqaj, deputetet Albulena Haxhiu dhe Donik Kadaj-Bujupi, babai i Astit Deharit si dhe Sami Kurteshi.
Në mesin e të akuzuarve ishte edhe Astrit Dehari, i cili ka humbur jetën më 4 nëntor 2016, në burgun e Prizrenit, gjatë kohës që mbahej në paraburgim./Telegrafi/