Aktivistët e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti e Atdhe Arifi, ende nuk kanë bërë kërkesë në Gjykatën Themelore, që t’iu lejohet të dalin dhe të takojnë votuesit e tyre potencialë, pra të jenë pjesë e fushatës që fillon këtë hënën me 31 maj.
Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk është bërë asnjë kërkesë për leje nga këta të akuzuar”, ka sqaruar Gashi ,për Ekonomia Online.
Të katër kandidatë për deputetë gjenden në arrest shtëpiak deri më 28 qershor, si të dyshuar për sulum ndaj ndërtesës së Kuvendit.
“Gjyqtari i çështjes ka marr vendim me të cilin ka refuzuar kërkesat e palëve – kundërshtimet. Meqenëse avokatët kanë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit ,nga e njëjta pritet të merret vendimi dhe pastaj të vazhdohet me caktimin e shqyrtimit kryesorë”, ka thënë Gashi.
Frashër Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se do të bëjnë kërkesë për të dal në fushatë. Por bashkë partiakja e Krasniqi, Adea Batusha nuk pret që Gjykata do të respektojë kërkesën për të qenë pjesë e fushatës zgjedhore.
“Nuk kemi kërkuar nga gjykata që të jemi të lirë, por nuk ma merr mendja që gjykata e lejon një gjë të tillë. I vetmi moment kur ne kemi të drejtë të marrim leje është në ditën e votimit, kur dhe do të dalim të votojmë”, ka thënë ajo.
Por Atdhe Arifi ka thënë se për këtë duhet të konsultohen me Lëvizjen.
“Për fushatën zgjedhore thash se duhet të diskutojmë me Lëvizjen edhe me shokët njëherë, sepse nuk kemi kështu ndonjë vendim zyrtar. Jemi në diskutime dhe do t’i shohim format e qasjes tonë në fushatë zgjedhore”, ka thënë ai.