Telegrafi

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje ngrenë padi për hidrocentralet në Deçan

Koordinatori i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Deçan, Faton Selmanaj, i shoqëruar nga avokati e aktivisti Getoar Mjeku dhe deputetët Fitore Pacolli e Salih Zyba, kanë dorëzuar në gjykatë padi kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas tyre, këto janë dy institucionet përgjegjëse për hidrocentralet që po shkatërrojnë Lumbardhin e Deçanit.

“Selmanaj po i kërkon Gjykatës Themelore të Prishtinës të pezullojë prodhimin e energjisë që po e shtjerrë lumin, po lë banorët e Deçanit pa ujë për pije dhe ujitje dhe po kanos pasoja të pariparueshme për mjedisin”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, për të mundësuar operimin e hidrocentraleve, Ministria dhe ZRRE kanë dhënë leje dhe licensa në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet për ujërat, mjedisin dhe procedurën administrative.

“Me kërkesën e aktivistëve, Gjykata pritet të vendosë brenda tri ditëve nëse do të shtyjë ekzekutimin e akteve të ministrisë dhe ZRRE-së deri në vendimin përfundimtar për anulimin e tyre. Vitin e kaluar, aktivistët e Lëvizjes patën paditur me sukses ZRRE-në lidhur me vendimin për të subvencionuar oligarkët me para të konsumatorëve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/