Njëri nga aktivistët më të zëshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në diapsorë, Gëzim Mekuli, ka deklaruar se që sot e tutje nuk identifikohet më asnjë parti politike.
Ai në llogarinë e tij në Facebook e ka bërë sqarimin për largimin e tij nga VV- ja, e që sipas tij, është dështimi i mbajtjes së protestës së paralajmëruar për nesër nga opozita e bashkuar.
“Gjendja e krijuar sot, pavarësisht spjegimeve e fajtorëve, për natyrën time, është moralisht e papërballueshme, intelektualisht e pakuptueshme dhe, politikisht, e paspjegueshme. Vjedhja e energjisë që ju bë popullit sot, është e pafalshme; Tallja politike që ju bë, sot, popullit, është shqetësuese, dëshpëruese dhe, njëkohësisht, poshtëruese.
Sigurisht se unë do të vazhdoj të mbetem bir besnik i kombit dhe nderues, deri në përulësi, i së drejtës, mbrojtës i lirisë së shprehjes dhe gardian i mendimit të lirë. Si rrjedhojë, sot në publik, e me sinqeritetin më të lartë, shpallë se, Unë, Gëzim Mekuli, që sot, nuk identifikohem me asnjë parti politike” (sic.), ka shkruar Mekuli.
Ndryshe, Mekuli është magjistër i mediave dhe retorikës dhe prej vitesh jeton në Norvegji./Telegrafi/.