Site icon Telegrafi

Aktakuzë ndaj dy personave për 52.37 kg ‘marihuanë’

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, njëri shtetas i Republikës së Shqipërisë, ndërsa tjetri shtetas i Republikës së Serbisë, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit që nga data 26 janar 2019.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F.TH. dhe L.M., më 24 janar 2019, rreth orës 16:00, në magjistralen Prishtinë – Gjilan, saktësisht në fshatin Ponesh, pa autorizim, me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes kanë transportuar substancë narkotike të llojit ‘’Marihuanë’’, në peshë prej 52.37 kg.

Tutje në komunikatën e dërguar nga Prokuroria Themelore thuhet se, i pandehuri F.TH., pas një marrëveshje paraprake, e kishte marrë substancën narkotike nga një person i panjohur në Prizren, me ç’rast me automjetin e tij, të njëjtën në bazë të marrëveshjes është dashur t’a transportonte deri tek i pandehuri L.M., i cili edhe e kishte pritur në parkingun e Qendrës Tregtare ‘’ETC’’, në Gjilan.

Siç njofton Prokuroria Themelore,  i pandehuri F.TH., është ndaluar në fshatin Ponesh nga policia, ku në bagazhin e automjetit iu është sekuestruar substanca narkotike, ndërsa i pandehuri tjetër L.M., është arrestuar deri sa ishte në pritje të substancës, tek i cili edhe janë gjetur të holla në shumë prej 2,000 euro, për kompensim në bazë të marrëveshjes.

Në këtë mënyrë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’ nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version