Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj një gruaje dhe një burri në Prishtinë, të cilët kanë sulmuar fizikisht dy gazetare.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente, ka ngritur aktakuzë me propozim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurës M.B., në drejtim të veprave penale “Kanosja” dhe “Sulmi”, sipas KPRK-së. Gjithashtu, ju njoftojmë se në këtë aktakuzë është i përfshirë i pandehuri A.L., i cili ngarkohet me veprën penale “Sulmi”, sipas KPRK-së”, ka theksuar ajo.
Ndryshe, lidhur me rastin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka dënuar sulmin ndaj dy gazetareve.
“Gazetaret dhe mediumi tashmë e kanë paraqitur rastin në Policinë e Kosovës, dhe AGK-ja e fton Policinë dhe Prokurorinë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë urgjente, për të adresuar sulmin që ka ndodhur”, ka thënë AGK-ja në këtë reagim.
Në disa pamje shqetësuese të publikuara nga mediumi, shihet se si një grua dhe një burrë i sulmojnë gazetaret dhe tentojnë që t’ia ndalojnë xhirimin./Telegrafi/