Prokuroria Themelore në Gjilan nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit, që e vrau aksidentalisht bashkëshorten e tij më 1 janar të këtij viti.
I pandehuri dyshohet për dy vepra penale: “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Armëmbjatje pa leje”.
“Sipas aktakuzës, më 01 janar 2019, rreth orës 00:10 minuta, në fshatin Selishtë, komuna Gjilan, i pandehuri Jakup Jakupi, nga pakujdesia ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, të ndjerën Zahide Jakupi, në atë mënyrë që derisa ka qenë duke festuar fillimin e festës së Vitit të Ri 2019, duke shtënë në ajër me armën e tij të gjuetisë, e njëjta është bllokuar dhe nuk ka shkrepur, me ç’rast duke tentuar ta rregullonte, e njëjta ka shkrepur dhe në një distancë prej 1-2 metra, e ka goditur të ndjerën në pjesën e epërme të shpindës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.
Gjithashtu, i njëjti, pa leje dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtur në pronësi armën e gjuetisë, të markës Hungarian Sumbachine Gun, model 53.
Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës, që i pandehuri të shpallet fajtor për këto vepra penale dhe të dënohet sipas Ligjit, si dhe të njëjtit t’i konfiskohet arma e gjuetisë. /Telegrafi/