Telegrafi

Aktakuzë kundër një polici në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër një zyrtari policor H.M., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i pandehuri H.M., zyrtar i Policisë së Kosovës nga Stacioni Policor në Suharekë, më datë 7 maj të vitit 2016, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin M.P., përkatësisht duke dëmtuar personin N.B.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se i dëmtuari N.B., kishte raportuar në Polici se i janë vjedhur një sasi prej 39 thasë të çimentos.

Ndërkaq, gjatë një pike të kontrollit të Policisë është ndaluar i dyshuari M.P., i cili ka qenë duke drejtuar kombin me 39 thasë të çimentos që kanë qenë të vjedhura në oborrin e shtëpisë të të dëmtuarit N.B.

Përkundër këtyre fakteve, zyrtari policor H.M., duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar nuk ka lejuar që të ndalohet i dyshuari M.P., dhe t’i sekuestrohet përkohësisht çimentoja e vjedhur e cila do të shërbejë si provë materiale gjatë hetimeve dhe kombi si mjet me të cilën është kryer vepra penale.

Me këto veprime i pandehuri H.M., ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KP-ës.