Site icon Telegrafi

Aksioni “Subvencioni”, Policia arreston katër zyrtarë të Komunës së Istogut

Policia e Kosovës ka arrestuar katër zyrtarë të Komunës së Istogut, gjatë vazhdimit të operacionit për rastin “Subvencioni”.

Nënkryetari i Komunës së Istogut, Agim Ademaj, ka konfirmuar për Telegrafin se Policia tashmë ka arrestuar katër zyrtarë të Drejtorisë së Bujqësisë.

“Policia ka arrestuar katër zyrtarë të Drejtorisë së Bujqësisë, nuk kemi informata tjera”, tha shkurtimisht ai.

Në Komunën e Istogut, Policia edhe më herët kishte arrestuar disa zyrtarë të cilët dyshohet se për mashtrime me subvencione.

Ndryshe, vazhdimin e operacionit “Subvencioni”, tashmë e kanë konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi për Telegrafin se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jepen informacione shtesë.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jepen informacione shtesë”, tha ai.

Kujtojmë se në fillimi të vitit 2021, Policia kishte  arrestuar mbi 20 zyrtarë nën dyshimin për abuzime me subvencione në AZHB. Arrestimi i tyre është bërë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim në detyrë dhe marrje ryshfeti.

Arrestimet e para kishin ndodhur në muajin shkurt. /Telegrafi/

Exit mobile version