Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje pas aksionit të së hënës të Partisë Socialdemokrate në Zyrën e Rregullatorit për Energji.
Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se janë arrestuar 13 të dyshuar, 11 meshkuj dhe 2 femra kosovarë pasi që të njëjtit kanë hyrë në objektin e ZRRE-së dhe kanë penguar punën e punonjësve, ndërkaq po ashtu thuhet se kanë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime.
“Rr.Bekim Fehmiu, Prishtinë, 14.02.2022-11:20. Janë arrestuar 13 të dyshuar, 11 meshkuj dhe 2 femra kosovarë pasi që të njëjtit kanë hyrë në objektin e ZRRE-së dhe kanë penguar punën e punonjësve. Gjatë arrestimit të dyshuarit kanë rezistuar me ç’rast katër zyrtar policor kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit pas intervistimit katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerëve u janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje.
Ndryshe, të hënën aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD) kanë hyrë në ambientet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe po insistojnë se nuk do t’i lëshojnë zyrat deri në publikimin e vendimit të fundit mbi tarifat e reja të rrymës.
Me këtë rast, kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj është konfrontuar verbalisht me kryesuesin Ymer Fejzullahu, teksa i ka kërkuar nga ky i fundit që ta publikojë vendimin e ZRRE-së.
“Ky vendim nuk hyn në fuqi deri sa të gjitha palët nuk informohen për përmbajtjen e tij. Qeveria Kurti dhe ky Bord ka mashtruar qytetarët. Barrën e kanë vënë te taksapaguesit”, ka thënë Molliqaj.
Ndërkaq, nënkryetari i PSD-së, Qendron Kastrati në një konferencë për media ftoi Inspektoratin e Policisë dhe shoqërinë civile që të reagojë ndaj policëve civil të cilët kanë përdorur dhunë në aksionin e PSD-së në ZRRE-së.
“Prej 13 të arrestuarve që kanë qenë sot, 6 pre tyre janë dërguar në mbajtje 48 orë, do të thotë kryetari Dardan Mulliqaj, sekretarja Teuta Rrusta, Natyra Kuçi, Don Lushi, Genc Sherifi dhe Frashër Krasniqi, sot iu ka mohuar liria për 48 orë me vendim të prokurorit. Sot në shërbim të qeverisë dhe në mungesës së transparencës, policia dhe prokuroria është vendos dhe po tenton ta ndal dhe ndërprenë protestën, reagimin dhe rezistencën ndaj një vendimi të padrejtë. Ne si PSD kërkojmë urgjent që duhet të lirohen edhe këta 6 aktivistë”, tha ai. /Telegrafi/