Site icon Telegrafi

Aksioni i Policisë së Kosovës në veri – zbarkimi i policëve dhe pamje nga arrestimet (Video)

Gjatë një operacioni policor të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, deri tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, si dhe disa qytetarë.

Përveç kësaj, është raportuar se ka edhe policë të plagosur, gjendja e të cilëve është jashtë rrezikut për jetë.

Policia e Kosovës ndërkohë ka njoftuar se operacionit policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara.

Po ashtu gjatë operacionit, siç është bërë e ditur, Policia ka konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë.

Ndërkohë një medium serb tvmost.info, ka publikuar disa pamje në të cilat thuhet se shihet momenti i zbarkimit të policëve të Kosovës, si dhe pamje nga arrestimet.

https://www.youtube.com/watch?v=4UAh8dWSmTk

Lidhur me këtë aksion të Policisë së Kosovës, përveçse nga Kosova, ka pasur reagime edhe nga Serbia dhe KFOR-i.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në orët e para të mëngjesit ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë.

Lexo po ashtu Thaçi: Operacioni në tërë territorin e vendit, luftë e pakompromis kundër krimit të organizuar

Në zyrën e Thaçit janë parë duke hyrë drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, Drejtori i Policisë dhe udhëheqës të institucioneve të drejtësisë.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se si kryeministër i vendit, konfirmon se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër.

Lexo po ashtu Haradinaj fton serbët ta ruajnë qetësinë: Bëhet fjalë për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër

Ndër reagimet e para ka qenë edhe ai i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas mediave ka urdhëruar njësitë ushtarake të jenë në gjendje gatishmërie.

Gjithashtu, është raportuar se Ministria e Brendshme gjithashtu ka vënë në gjendje të plotë gatishmërie njësinë e policisë speciale.

Lexo po ashtu Arrestimet në veri të Kosovës, Vuçiq mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Megjithatë, përveç këtyre, mediumi serb Blic.rs raporton se presidenti Vuçiq ka mbledh Këshillin për Sigurinë Kombëtare.

Sikurse Qeveria e Kosovës, edhe KFOR ka bërë të ditur se aksioni i Policisë së Kosovës në veri nuk është i drejtuar kundër serbëve, por kundër atyre që akuzohen për korrupsion dhe krime.

Lexo po ashtu KFOR-i deklarohet për aksionin e Policisë në veri të Kosovës

Sipas KFOR-it, aksioni i Policisë së Kosovës është kryer me urdhër të Prokurorisë në Prishtinë.

“Operacioni i Policisë së Kosovës po zhvillohet me urdhër të Prokurorit në mbarë Kosovën, jo vetëm në veri dhe jo drejtuar kundër serbëve, por kundër atyre që akuzohen për korrupsion dhe krime”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Graso për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug. /Telegrafi/

Exit mobile version