Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Policinë e Kosovës pas aksionit të djeshëm që u zhvillua në veri të Mitrovicës, ku u shkatërrua një laborator droge në Zveçan dhe i cili ka vazhduar edhe sot në jug të Mitrovicës dhe Fushë Kosovë.
Dje janë arrestuar katër persona, kurse në aksionin e sotëm janë arrestuar pesë persona të tjerë të dyshuar si dhe janë konfiskuar mbi 56 kg substanca narkotike të llojit marihuanë.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se njësitet e anti-drogës po vazhdojnë punën e tyre me intensitet të shtuar dhe me sukses.
“Pas shkatërrimit të një laboratori për kultivim të narkotikëve dje në Veri të Mitrovicës, sërish sot është shkatërruar një rrjet i kontrabanduesve të drogës që kanë bashkëvepruar mes Kosovës dhe Shqipërisë, konkretisht në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë. Nga ky aksion janë konfiskuar mbi 56 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë dhe janë arrestuar 5 pjesëtar të këtij grupi”.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës dhe njësitet e saj relevante për përkushtimin e madh në zbatimin e misionit të tyre, luftimin e të gjitha veprimtarive ilegale në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe atë trans kufitar”, ka shkruar ai./Telegrafi/