Telegrafi

Protestuesit për PDK-në: Pronto Departamenti i Korrupsionit

 

Me fotografinë e Kadri Veselit, Hashim Thaçit dhe Adem Grabovcit ku shkruan “Pronto” një numër i vogël i qytetarëve kanë mbajtur sot një aksion simbolik para selisë së PDK-së në Prishtinë.

Ata akronimin PDK ia kanë ndryshuar me atë “Pronto Departament Korrupsion”.

Ky aksion është në vazhdën e protestave që Grupi i qytetarëve i quajtur #Protestoj  është duke organizuar pas publikimit të përgjimeve ku protagonistë të tyre janë shefi i Grupit të Deputetëve të PDK-së Adem Grabovci dhe zyrtarë tjerë të kësaj partie.

Në emër të organizatorëve Edona Bajrami tha se sot u pa që edhe kreu i Kuvendit është i përfshirë në këto përgjime dhe se është shqetësuese, kur zyrtarët e një partie në pushtet imitojnë mafien italiane.

“Është shqetësuese kur zyrtarët e kësaj partie në aferën PRONTO dëgjohen duke folur mes vete italisht, duke imituar kështu mafien italiane të filmave. Kjo na tregon qartë se këta që po e imitojnë mafien në fakt tregojnë se ajo që duan për veten e tyre është krijimi i një klani mafioz që mban nën kontroll çdo gjë. Prandaj, ne, qytetarët e këtij vendi përmes angazhimit civil dhe paqësor do të kujdesemi që puna të mos mbërrijë deri aty, duke i dorëhequr e shkarkuar qysh tash, brenda pak javëve” shtoi Bajrami.

Bajrami tha se protestat nuk do të ndalen derisa të arrihet drejtësia politike dhe institucionale, pra dorëheqjet e të përfshirëve dhe ndjekja penale e tyre.

Ajo ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës, e cila pritet që të mbahet nesër.

“Ne qytetarët e #Protestoj, pa organizatë, pa parti, pa ndonjë institucion mbrapa nesh por vetëm më përgjegjësinë dhe vullnetin tonë qytetar do të vazhdojmë të organizohemi deri në dorëheqjen e Grabovcit dhe atyre që kanë përfituar nga veprimet e tij”, tha Bajrami.

Grupi i qytetarëve #Protestoj, kanë paralajmëruar protestë për të martën në ora 17:00, në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Kjo është protesta e katërt që mbahet në shenjë revolte ndaj përgjimeve të njohur si “Dosja e Shefave”.