Telegrafi

Aksioni në AgroKosova, Rukiqi: E papranueshme ndërhyrja me polici në ndërmarrje private

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar pas ndërhyrjes së policisë në ndërmarrjen AgroKosova.

Rukiqi thotë se kjo ndërhyrje në ndërmarrje private, tregon shumë për klimën e investimeve të huaja në Kosovë, përcjell Telegrafi.

“Ndërmarrja në fjalë dhe investitorët duhet ta kenë mundësinë e mbrojtjes të investimit dhe pronës ku kanë investuar. Ndërhyrjet arbitrare me polici, pa u shtjerr të gjitha mekanizmat kushtetues dhe ligjor, janë të papranueshme dhe mund të shërbejnë si precedent jashtëzakonisht negativ, për të ardhmen. Këto veprime duhet të ndalen”, ka reaguar ai.

Lexo po ashtu AKP merr nën administrim ndërmarrjen “AgroKosova Holding”, përplasje mes punëtorëve dhe policisë

Agjencia Kosovare e Privatizimit, e shoqëruar nga Policia e Kosovës kanë shkuar në zyrat e AgroKosova Holding, apo ish-ndërmarrja shoqërore NBI Suhareka.

Në anën tjetër, ndërmarrja ka kundërshtuar ta lirojnë objektin. Dy palët kanë pasur përplasje me fjalë. /Telegrafi/