Site icon Telegrafi

Aksioni “Mbrojtja e Pyjeve 2021”, Policia jep detaje se çfarë u gjeti në lokacionet e të dyshuarve në Ferizaj

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth arrestimit të tetë personave në Ferizaj, të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e Ryshfetit”, si dhe veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Njësia e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Rajonin e Ferizajt, me datë 15.04.2021, pas hetimeve disa mujore, si rezultat i sigurimit të provave materiale dhe dëshmive relevante, ka filluar implementimin e Planit Operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2021”.

Policia njofton se në fazën e parë, urdhërkontrolli është realizuar në tetë lokacione të ndryshme, tek personat zyrtarë të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj.

“Mbi dyshimin e bazuar se të dyshuarit e përfshirë, kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar si teknikë të pylltarisë dhe roje pylli, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, kanë pranuar ryshfet në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga disa qytetarë të cilët janë dëmtues recidivistë të pyllit, e me këtë dyshohen se kanë kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrje e Ryshfetit’, si dhe veprën penale Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit, në lokacionet e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë në vijim:

1. Armë gjuetie –gjashtë (6) copë;
2. Armë zjarri (revole) –dy (2) copë;
3. Karikatorë të revoles –gjashtë (6) copë;
4. Karikatorë të AK-47 – dy (2 copë;
5. Fishekë cal. 9mm –njëzetë (20) copë;
6. Fishekë 7.65 –tridhjetë (30) copë;
7. Fishekë cal.12 mm –katër (4) copë;
8. Telefona mobilë –trembëdhjetë (13) copë;
9. Çekan për damkosje –një (1) copë dhe

10. Materiale të tjera si: fletore gjepi, fletëparaqitje, bllok evidence, raporte, formularë etj.

Policia bën të ditur se pas realizimit të intervistimeve me personat e dyshuar, në prezencë të avokateve mbrojtës, nga prokuroria kompetente, tetë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në afat prej 48 orësh për procedura të mëtejme ligjore.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore në funksion të parandalimit dhe luftimit të të gjitha llojeve të krimit dhe korrupsionit, përderisa veprime rigoroze ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë personave të përfshirë, pavarësisht rolit dhe funksionit që kryejnë”. /Telegrafi/

Exit mobile version