Site icon Telegrafi

Aksioni antidrogë në veri, në drejtim të policisë u shkrepën 26 plumba

Policia e Kosovës ka zhvilluar dje një aksion kundër drogës edhe në veri të vendit.

Në raportin e policisë thuhet se gjatë realizimit të aksionit në fshatin Izvor të Zveçanit persona të pa njohur kanë gjuajtur me armë në drejtim të zyrtarëve policorë, me ç’rast në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja të armës.

“Derisa njësitë policore ishin në kryerje të detyrës, të dyshuar të pa njohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtimi të zyrtarëve policor. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 26 gëzhoja të armës së zjarrit”, thuhet në raport.

Lexo po ashtu Aksioni në veri: Zyrtarët e policisë dhe doganës janë gjuajtur me armë zjarri, u zbulua laboratori ku kultivohej kanabis

Policia ka bërë të ditur se nuk është raportuar për të lënduar dhe se rasti vazhdon të jetë nën hetime. Në Izvor policia gjeti edhe një laborator të drogës në një objekt në ndërtim, pronë e një mashkulli/Serb.

Policia njofton se kanë gjetur dhe asgjësuar 9084 copë bimë të dyshuara narkotike.

“Gjatë kontrollit të shtëpisë janë gjetur dhe konfiskuar 4 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe një pushkë gjuetie. Rasti nën hetime nga njësitë relevante”, thuhet në raport.

Lidhur me këtë aksion, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se vlera e drogës së konfiskuar rezulton në vlerë 6 milionë euro.

“Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milionë euro ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro”, ka shkruar Sveçla. /Telegrafi/

Exit mobile version