Aksionet e Tesla kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët në gati dy vjet, pasi shefi ekzekutiv Elon Musk zbuloi se ka shitur 3.95 miliardë dollarë aksione.
Vlera e tyre pati rënie 7.2 për qind, niveli më i ulët që nga 23 nëntori 2020, përcjell Telegrafi.
Shitja e fundit e aksioneve nga ana e Muskut nxiti shqetësime në lidhje me pasojat e blerjes së Twitterit nga ana e tij në vlerë prej 44 miliardë dollarësh. Blerja ngjalli shqetësime për investitorët, duke përfshirë nëse ai do të shpërqendrohej nga drejtimi i Teslas ose do të devijonte burimet te kompania e medieve sociale.
Disa investitorë gjithashtu kishin frikë nga ndikimi i mundshëm në shitjet dhe marka e Teslas, si dhe presioni i mundshëm mbi kompaninë nga vendet që përpiqen të kontrollojnë të drejtën e fjalës në internet.
“Musku mund të ketë pasur nevojë për para për të finalizuar me të vërtetë marrëveshjen me Twitterin, por ristrukturimi i kompanisë do të rezultojë të jetë më i kushtueshëm nga sa priste. Unë mendoj se investitorët janë të shqetësuar se ky mund të mos jetë fundi i shitjeve të aksioneve të tij”, tha analisti i lartë i tregut OANDA, Ed Moya.
Ai ka shitur rreth 20 miliardë dollarë të aksioneve në Tesla që kur investoi fillimisht në Twitter në muajin prill.
Pronari i ri i Twitterit u tha reklamuesve se llogaritë e abonimit me pagesë do të bëheshin më të rëndësishme. /Telegrafi/