Policia e Kosovës është parë në oborrin e Komunës së Istogut, mirëpo ende nuk dihet arsyeja e qëndrimit të tyre aty.
Në lidhje me këtë Telegrafi ka kontaktuar nënkryetarin e Komunës së Istogut, Agim Ademaj i cili ka thënë se nuk ka ndonjë informacion zyrtarë për ndonjë aksion të policisë.
Mirëpo ai theksoi se i ka parë disa vetura të Policisë së Kosovës në oborrin e komunës.
“Nuk kam informacion zyrtar për ndonjë aksion, mirëpo i pash disa vetura të policisë në oborrin e komunës”, ka thënë Ademaj.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka thënë se policia është duke zhvilluar aksion në disa lokacione.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor në disa lokacione, në rajone të ndryshme. Informacione shtesë mund të jepen pas përfundimit të operacionit policor”, tha Kelani.
Telegrafi, po ashtu kontaktoi edhe zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi i cili tha se nuk ka ndonjë informacion për aksion policor në Komunën e Istogut.
“Deri në këto momente nuk kam ndonjë informacion, për cdo informatë që do të kemi do ju lajmërojmë”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/