Site icon Telegrafi

Aksion i policisë në jug dhe veri të Mitrovicës kundër kontrabandës me armë

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka filluar një operacion të gjerë policor në dy rajone të Kosovës, atë të Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë dy rajone të Kosovës, atë DRP Mitrovicë Jugu dhe DRP Mitrovicë Veri”, ka thënë Kelani.

Operacioni është realizuar me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe ndërprerjen e aktiviteteve të paligjshme që kërcënojnë rendin dhe ligjin në këto rajone.

“Operacioni policor ka të bëjë me luftimin e veprimtarive kriminale, të kontrabandimit me armë dhe municion”, ka thënë Kelani.

Ai ka shtuar se pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë. /Telegrafi/

Exit mobile version