Policia e Kosovës ka kryer një aksion në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani tha për Telegrafin se aksioni është kryer në një banesë, ku edhe kanë konfiskuar kartela grafike, shok-bomba dhe poqa elektrike që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit dhe disa mjete tjera.
“Pas informacioneve të pranuara nga sektori për luftimin e narkotikëve Mitrovica Veri në bashkëpunim me Drejtorin Rajonale Veri ka kryer një kontroll në një banesë në rrugën e Kolashinit saktësisht në katin 11 tek Tre Rrokaqiejt”, deklaroi ai.
Elshani tregoi se çfarë ka konfiskuar Policia gjatë aksionit.
“Në banesën që është shfrytëzuar nga S.M. (KosovarSerb) janë gjet dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilator, poqa elektrik që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llamp elektrike për laborator, 51 fishekë , 8 shok bomba të modifikuara”.
Zëdhënësi i Policisë bëri të ditur se i dyshimti nuk ka qenë aty gjatë aksionit. /Telegrafi/