Policia e Gjakovës ka njoftuar se sot më datë 14 shtator 2022, në fshatin Rracaj njësia e antidrogës kanë kanë gjetur 33 bimë narkotike të llojit kanabis sativa në shtëpinë e një të dyshuari.
“Njësia e antidrogës të asistuar nga Njësia për Reagim të Shpejtë dhe Njësia e Krim Teknikës Rajonale pranë drejtorisë rajonale në Gjakovë, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ku me këtë rast janë kontrolluar shtëpia dhe objektet përcjellëse, në pronësi dhe shfrytëzim nga një person i dyshuar mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në oborrin e tij, përkatësisht tek ara me misër janë gjetur të kultivuara tridhjetë e tri (33) bimë narkotike të llojit kanabist sativa me gjatësi prej 190 cm deri 290 cm”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar në cilësinë e provës materiale dëshmitë si në vijim:
•Dëshmia D#1 – Një sasi e substancës narkotike e dyshuar si marihuanë, e cila ishte duke u terur me peshë rreth 448 gram,
•Dëshmia D#2 – Një qese najloni e mbushur me substancë narkotike e dyshuar si marihuanë me peshë rreth 112 gram, e cila është gjetur në veturën e të dyshuarit,
•Dëshmia D#3 – Një peshore elektronike,
•Dëshmia D#4 – Mostër nga bima e dyshuar narkotike dhe
•Dëshmia D#5 – Mostër nga bima e dyshuar narkotike.
“Lidhur me këtë është arrestuar i dyshuari i cili ka kultivuar bimët narkotike. Bimët narkotike janë tërhequr dhe asgjësuar përmes djegies. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori kompetent në Gjakovë, dhe ka udhëzuar që të iniciohet rasti për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” sipas kodit penal të RKS-së, ndërsa personi i dyshuar ndalohet për 48 orë, për procedure të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/