Një këmbësor ka marrë lëndime të rënda trupore pasi është aksidentuar nga një veturë sot rreth orës 12:00 në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas tij, si pasojë e lëndimeve trupore këmbësori është dërguar për tretman mjekësor.
“Rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Borovci.
Ndërkaq, ai tha se me rastin po merret njësiti i trafikut. /Telegrafi/