Një aksident zinxhiror mes autobusëve që transportonin maturantët e Gjilanit në eksursion ka ndodhur të shtunën në Shqipëri.
Sipas dëshmisë së maturantëve, në këtë aksident ka edhe të lënduar.
Një nxënës ka treguar për Kallxo.com se autobusët janë aksidentuar si pasojë e kyçjes së pasigurt në rrugë të një veture me tabela vendore (të Shqipërisë).
Një maturant tjetër ka treguar se në këtë aksident, që ka ndodhur dje rreth orës 11:00, ka edhe të lënduar.
Ky nxënës ka treguar se ka parë autoambulancat të kenë marrë me vete së paku dy nxënëse.
Aksidenti ka ndodhur në dalje të Tiranës dhe nxënësit po shkonin drejt Shkodrës, në ditën e fundit të ekskursionit.
Në aksident, sipas dëshmisë së nxënësve, janë përfshirë tre autobusë.
Dy prej tyre, për shkak të dëmtimeve, kanë mbetur në Shqipëri. Nxënësit që ishin në këta autobusë janë shpërndarë në autobusë të tjerë dhe maturantët janë kthyer mbrëmë në Gjilan.
Zyrtari për informim në Komunën e Gjilanit, Ibrahim Ademi e ka konfirmuar për Kallxo.com aksidentin e autobusëve me maturantët gjatë kthimit nga ekskursioni në Shqipëri.
Ademi ka thënë se sipas informacioneve, aksidenti në fjalë ka ndodhur kur njëri nga autobusët që ka qenë duke i bartur nxënësit tanë gjatë eskursionit, është aksidentuar me tjetrin afër Aeroportit të Rinasit, derisa po udhëtonin për në Shkodër.
“Nga ky aksident, tre nxënës kanë marrë lëndime të lehta, të cilët janë trajtuar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë”, ka thënë Ademi.