Dy shtetas të Kosovës, Kushtrim Hoxha, 28 vjeçar nga Prizreni dhe bashkëshorti i motrës së tij, Jetmir Rexhepi rreth 30 vjeçar nga fshati Celinë – Komuna e Rahovecit kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në Hungari.
Bashkim Hoxha, xhaxhai i viktimës, Kushtrim Hoxha, në një prononcim për Telegrafin ka treguar disa detaje në lidhje me rastin e rëndë të aksidentit i cili ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.
Hoxha tha se Kushtrimi bashkë me Jetmirin ishin nisur nga Gjermania për në Kosovë, të cilët u aksidentuar me një kamion në Hungari.
Ai bëri të ditur se Kushtrimi i kishte shkruar 20 minuta para aksidentit djalit të axhës së tij (djalit të Bashkimit) duke i thënë “O ti mashkull mos flej se unë po arrij”.
“Aksidenti siç kanë thënë policia ka ndodhur diku rreth orës 01:15 të natës, parmbrëmë. Kanë qenë duke shkuar për Kosovë… 20 minuta para se me ndodh i ka shkruar djalit tim ‘o ti mashkull mos flej se unë po arrij’. Kushtrimi ka lindur dhe është rritur në Gjermani”, ka thënë Hoxha.
Ai po ashtu tha se Kushtrimin pas aksidentit menjëherë e kanë dërguar në spital, por që nuk ka arritur t’i përballoj plagëve të rënda, ndërsa për të ndjerin Jetmirin tha se trupi i tij është djegur nga flakët që ka marr vetura pas aksidentit.
“Trupi i Jetmirit është djegur, duhet të shkojnë familjarët në Hungari për obduksionin e tij…”, tha ai.
Axha i Kushtrimit po ashtu tha se nipi i tij la pas vetes vajzën katër muajsh, ndërsa Jetmiri djalin një vjeçar. /Telegrafi/