Pas aksidentit që ka ndodhur sonte në Mramor të Prishtinës, ku kanë humbur jetën 3 qytetarë dhe janë lënduar 7 të tjerë, në QKUK ka qëndruar ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili ka njoftuar se në rrezik për jetë është edhe një i lënduar, ndërsa ambasadorja turke ka marrë lëndime të lehta trupore.
“Fatkeqësisht kemi tri viktima. Ju shpreh ngushëllime familjareve të viktimave. Njeri pacient është në gjendje të vështirë. Mjekët po e bëjnë punën e tyre për t’ia shpëtuar jetën. Pacientët e tjerë kanë disa lëndime në gjoks, prej dhjetë personave të përfshirë në aksident, 7 kanë lëndime, do të thotë tri automjete, për më shumë do të njoftoheni nga prokurori i rastit që ka shkuar në vendin e ngjarjes”, tha ministri.
Ministri Mustafa njoftoi se gjendja e ambasadores së Turqisë, Kıvılcım Kılıç, eskorta e të cilës është përfshirë në aksident, është e mirë dhe ka marr vetëm lëndime në krah.
“Gjendja e ambasadores është e mirë, ka lëndime në krahun e djathtë, tash kontaktova me të, bisedova me të, ka pak dhimbje po përgjithësisht gjendja është e mirë”, tha ai.
Në QKUK kanë shkuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ministri Mahir Jagxhillar, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnave, e personalitete tjera, raporton KosovaPress.