Telegrafi

Aksidenti në rrugën Carralevë-Duhël, pamje nga largimi i pensionisteve nga autobusi

Një autobus i cili bartte disa pensioniste të cilat ishin nisur nga Kaçaniku për një udhëtim për në bregdetin shqiptar është aksidentuar me një kamion mëngjesin e sotëm në rrugën Carralevë-Duhël.

Disa fotografi të publikuara nga Radio Vizion, shihen të moshuarat duke u ndihmuar nga ekipet e zjarrfikësve për të dalë nga autobusi i aksidentuar.

Lidhur me këtë edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi për Telegrafin tha se pasi që autobusi është rrotulluar në krahë kanë intervenuar edhe zjarrfikësit për t’i nxjerr pasagjerët.

“Sot më datë 10.09.2024, rreth orës 07:11 është raportuar për një aksident trafiku në rrugën Carralevë-Duhël. Në aksident janë të përfshirë një autobus dhe një kamion.

Si pasoj e aksidentit së paku tre persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe janë transportuar për në emergjencë në QKMF në Suharekë.

Policia ka dal vendngjarje dhe është duke u marr me rastin”, ka thënë Bytyqi.

Ndërsa nga kompania turistike Elita Tours kanë bërë të ditur se të gjitha pensionistet janë mirë dhe nuk kanë lëndime serioze.

“Njoftohen të gjithë familjarët e pensionisteve të Kaçanikut, të cilat kanë qenë duke udhëtuar nga Kaçaniku në drejtim të bregdetit shqiptar dhe gjatë rrugës kanë pasur një aksident mirëpo falë Zotit të gjithë pasagjerët janë mirë dhe nuk kanë lëndime serioze, ndërsa pasagjerët janë transportuar me autobusin tjetër dhe janë rrugës për në bregdetin shqiptar…”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/