Telegrafi

Aksident me fatalitet në rrugën Arllat-Malishevë, një i vdekur e pesë të lënduar

Një aksident me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjte në rrugën Arllat-Malishevë, ku janë përfshirë dy vetura.

Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda kanë pësuar gjashtë persona, ndërsa njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Rreth orës 07:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Arllat – Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje”, ka thënë ajo.

“Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”.

Ahmeti tutje ka bërë të ditur se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërkohë personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.

“Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/