Një aksident trafiku ka ndodhur në fshatin Bellopojë në Istog, si pasojë janë lënduar 7 persona.
Rastin e ka bërë të ditur zëdhënësi i PK-së për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Sot rreth orës 17:30, policia është informuar se ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Bellopojë të komunës së Istogut. Si pasojë e aksidentit, shtatë persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë”, tha ai.
Tutje u shpreh se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.
Po ashtu edhe tri aksidente komunikacioni të njëpasnjëshme kanë ndodhur pasditen e sotme në magjistralen Prishtinë-Pejë – ku janë përfshirë 12 vetura.
Ndryshe, sipas raportit të policisë, në 24 orët e fundit në Kosovë kanë ndodhur 51 aksidente trafiku, 20 me persona të lënduar kurse 31 vetëm me dëme materiale. /Telegrafi/