Telegrafi

Aksident i tmerrshëm në Poloni, kamioni është shkatërruar plotësisht pas përplasjes me trenin – lëndohen dhjetë persona

Në qytetin polak Dalanowek, i cili ndodhet jo shumë larg Varshavës, ka ndodhur një aksident i tmerrshëm trafiku në të cilin të paktën dhjetë persona kanë mbetur të lënduar.

Gjegjësisht, sipas informacioneve të mediave polake, në përplasje janë përfshirë një tren dhe një kamion, ku një person ka pësuar lëndime të rënda, transmeton Telegrafi.

“Në mesin e të lënduarve janë tetë pasagjerë nga treni, mes tyre shoferi dhe menaxheri i trenit. Në momentin e aksidentit në tren ndodheshin gjithsej 15 persona”, shkruan Onet.

Sipas raportimeve, aksidenti ka ndodhur kur shoferi i kamionit ka tentuar të kalojë vendkalimin hekurudhor kur në atë zonë po kalonte një tren. Sipas informacioneve të mediave, në atë moment nuk ka pasur asnjë formë kontrolli në vendkalim.

“Në vendin e aksidentit kanë mbërritur autoambulancat, zjarrfikësit, shërbimet mjekësore dhe policia”, shkruan portali polak.

Trafiku hekurudhor në këtë pjesë të Polonisë është bllokuar plotësisht, ndërsa kamioni i përfshirë në aksident është shkatërruar plotësisht. /Telegrafi/