Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e së hënës në zonën “Kodrat e Diellit” të Tiranës, ku 29-vjeçarja e identifikuar si Elinta Garo, përplasi me makinë tre këmbësorë.
Në informacionet e siguruara nga gazetarja e “Top Channel” tregohet se e reja ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përplasur 27-vjeçaren e identifikuar si Alkuna Telhaj.
Me pas e tronditur ajo nuk ka arritur të kontrollojë makinën dhe ka përplasur në trotuar çiftin e bashkëshortëve Begzan dhe Valetina Hysa.
Policia e Tiranës njofton se ka shoqëruar në komisariat 29-vjeçaren, deri në zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.
Të plagosurit janë ndihmuar nga banorët e zonës dhe kalimtarët, më pas u dërguan në spital për të marrë mjekim.
Deri më tani çifti Hysa ka marrë dëmtime më të rënda dhe ndodhet ende në spital, ndërsa 27-vjeçarja është në gjendje të mirë shëndetësore.