Një këmbësor ka humbur jetën, ndërsa dy persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore në një aksident komunikacioni, i cili ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në rrugën Podujevë-Merdare, saktësisht në fshatin Shtedim.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, aksidenti ka ndodhur në mes dy veturave, si pasojë të cilit njëra veturë është përplasur mbi një këmbësor.
“Rreth orës 14:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Podujevë- Merdare, saktësisht në fshatin Shtedim ka ndodhur në një aksident trafiku, mes dy automjeteve dhe një këmbësori. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar tre persona, njëri prej të cilëve (këmbësor), nuk ka arritur të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës J.Z, 73 vjeçar e ka konstatuar ekipi mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë. Të lënduarin janë dërguar per tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, ka thënë Ahmeti për Telegrafin.
Dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur si pasojë e garës ndërmjet veturave në atë rrugë./Telegrafi/