Tre persona, një mashkull dhe dy femra, kanë humbur jetën dhe një tjetër është lënduar në një aksident komunikacioni që ka ndodhur, sot rreth orës 01:10 në rrugën Pejë -Vitomirice, në lagjen Fidanishte.
Sipas Policisë së Kosovës, aksident tragjik ka ndodhur kur një automjet i tipit “Volkswagen Jeta” me targa të regjistrimit vendor, është përplasur për një mur.
“Viktima të këtij aksidenti janë tre kosovarë, pjesëtar të komunitetit egjiptian, dy femra dhe një mashkull: E.H. – mashkull (1993), M.B. – femër dhe Xh.H. – femër”, thuhet në raportin e Policisë, transmeton Telegrafi.
Sipas policisë, dy pasagjeret kanë arritur pa shenja jete në Spitalin Rajonal, kurse viktima e tretë ka ndërruar jetë në QKUK-Prishtinë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Në këtë aksident lëndime ka pësuar edhe E.H. – mashkull, gjithashtu pjesëtar i komunitetit egjiptian, i cili nga vendi i ngjarjes është dërguar në spitalin rajonal në Pejë, për trajtim mjekësor.
Lidhur me aksidentin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka marrë pjesë në vendin e ngjarjes dhe me urdhrin e tij trupat e viktimave, u janë lejuar familjarëve për kryerjen e ceremonive mortore.
Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i veturës ishte duke qarkulluar nga Peja në drejtim të Vitomiricës dhe me të arritur në lagjen Fidanishte duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës si dhe shpejtësisë tenton të shkyçet nga rruga kryesore për të hyrë në një rrugë anësore në anën e djathtë. I njëjti për shkak të shpejtësisë nuk mund të bëjë kthimin e sigurt me ç’rast me pjesën ballore përplaset me një mur. /Telegrafi/