Telegrafi

Aksident në rrugën Shtime-Duhël, lëndohen tre persona

Tre persona kanë marr lëndime trupore si pasojë e një aksidenti i cili ka ndodhur sot në mëngjes rreth orës 09:00 në rrugën Shtime-Duhël.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Sipas tij, të lënduarit me emergjencën e Qendrës Mjekësore të Shtimes, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ai tutje shtoi se në aksident janë përfshirë dy vetura me targa vendore.

“Aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:00 në aksin rrugor Shtime-Duhël. Në aksident janë përfshirë dy automjete me targa vendore, ku janë lënduar tre persona të cilët janë transferuar për trajtim mjekësor në QKUK”, u shpreh Gashi.

Tutje, Gashi bëri të ditur se njësia e trafikut është duke u marrë me rastin. /Telegrafi/