Telegrafi

Aksident në magjistralen Prishtinë-Pejë, goditet për vdekje një këmbësor

Foto: Ilustrim

Një këmbësor ka mbetur pa shenja jete pasi është goditur nga një veturë në lëvizje të premten rreth orës 18:10 në magjistralen Prishtinë-Pejë, saktësisht në fshatin Balinc të Malishevës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.

Sipas tij, këmbësori kishte dalë në rrugë (magjistrale) duke kaluar barrierat e metalta, përkundër rregullave të trafikut rrugor, dhe vetura e kishte goditur atë.

“Më datë 07.05.2021 rreth orës 18:10, në rrugën magjistrale Prishtinë –Pejë, pikërisht në fshatin Balinc të Malishevës ka ndodhur një aksident trafiku goditje e këmbësorit me fatalitet. Deri te aksidenti i ndodhur dyshohet se ka ardhur derisa automjeti , kishte qenë duke qarkulluar në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, mirëpo më të arritur në fshatin Balinc, pikërisht përballë market ‘Aldi’, derisa vetura në fjalë kishte qenë në lëvizje në shiritin e majtë qarkullues pasi që rruga ishte me dy shirita qarkullues në një drejtim, por për një moment papritmas i ka dalë një këmbësor në rrugë i cili kishte ardhur prej anës së majtë të rrugës, e më pas duke i kaluar barrierat e metalta, përkundër rregullave të trafikut..

Vozitësi duke mos e vërejtur nuk ka mundur që t’i evitohet goditjes dhe me pjesën e parme ballore ana e majtë e veturës e ka goditur këmbësorin i cili sapo kishte filluar që të del në rrugë prej anës së majtë, dhe pas goditjes vetura e kishte bartur këmbësorin disa metra përpara , ku më pas e kishte përplasur në rrugë në shiritin e majtë qarkullues”, ka thënë Gjurkaj.

Siç tha ai, si pasojë e goditjes këmbësori kishte pësuar lëndime serioze për jetë dhe disa kalimtar e kishin dërguar në QKMF në Kijevë pa shenja jete.

“Si pasojë e goditjes këmbësori kishte pësuar lëndime serioze për jetë, ku nga disa kalimtar të rastit sipas tyre kishte pasur shenja jete, dhe e kishin dërguar në QKMF në Kijevë, viktima ishte sjellë pa shenja jete, ku edhe e kanë konfirmuar vdekjen e tij, ndërsa vozitësi po ashtu kishte pësuar lëndime trupore, fillimisht ishte dërguar në QKMF në Klinë, e pasi që kishte pësuar frakturë në dorën e majtë, mirëpo me urdhër të prokurorit kujdestar vozitësi është sjellë në spitalin rajonal në Gjakovë, për tretman më të gjerë mjekësor, mirëpo është i ndaluar me vendim të  prokurorit kujdestar dhe është në mbikëqyrje të organeve policore në repartin ortopedik”, sqaroi ai.

Ndërkaq, Gjurkaj po ashtu tha se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestarë i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të tij dhe me pëlqimin e familjarëve viktima ju është liruar familjarëve për ceremoni mortore. /Telegrafi/