Një 25 vjeçar me inicialet D.R ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në komunikacionin rrugor, i cili ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:45 në Rrugën “UÇK” në Pejë.
Sipas Policisë së Kosovës aksidenti ka ndodhur në afërsi të palestrës së sporteve, ku ishin të përfshira dy automjete me targa të regjistrimit vendor.
“Në këtë aksident pos dëmeve të mëdha materiale shkaktohen edhe lëndime trupore, me ç’rast kanë pësuar gjashtë persona, të cilët dërgohen në spitalin rajonal në Pejë dhe më pas dy nga ta dërgohen për në QKUK-Prishtinë, pasi që gjendja e tyre ishte e rënde sipas vlerësimit mjekësor, ku më pas policia është informuar se njëri nga personat e lënduar të dërguar në Prishtinë me inicialet D.R. (1992) kishte ndërruar jetë, dhe ky ishte si pasagjer në njërin nga automjetet e aksidentuara”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Trupi i pajetë i këtij personi me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar për obduksion. Të lënduarit tjerë në këtë aksident janë në trajtim mjekësor në spitalin rajonal në Pejë.