Site icon Telegrafi

Akrobatja ra në tokë, pësoi lëndime të rënda – pasi një marifet cirku në Rusi shkoi keq

Një akrobate e re ka pësuar lëndime të rënda pasi ka rënë nga rreth 4 metra lartësi në një trapez.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, familjet dhe fëmijët e tmerruar shikonin teksa 24-vjeçarja Elizaveta Chumakova ra nga një unazë trapezi.

Ajo ishte e varur me kokë poshtë nga këmbët e saj, por ra ndërsa u ngrit për të kapur unazën me dorë.

Elizaveta arriti të rrotullohej në ajër dhe të binte fillimisht me këmbë, por pavarësisht kësaj ajo u përplas rëndë në tokë dhe u shtri e palëvizur derisa stafi i cirkut nxitoi në ndihmë.

Ajo u nxor nga unaza e cirkut me barelë dhe u dërgua në spital pas rënies së rrezikshme në Novosibirsk, qyteti i tretë më i madh i Rusisë.

Një zëdhënës i cirkut tha: “Ajo është në Spitalin e Parë të Qytetit. Mjekët po kujdesen për të. Por deri më tani nuk janë dhënë diagnoza të sakta. Ajo është në kontakt me ne. Deri më tani po zbardhen të gjitha rrethanat”.

Zëdhënësi shtoi se Elizaveta ka punuar në cirk për 10 vjet dhe kjo është hera e parë që bie.

Mendohet se ajo pësoi disa fraktura, por se këto lëndime nuk besohet të jenë kërcënuese për jetën. /Telegrafi/

Exit mobile version