Aleanca Kosova e Re ka mbajtur takim me qytetarë dhe anëtarë të degës së saj në Kamenicë, në të cilin takim është prezantuar kandidatura për deputet e Fatmir Matoshit.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuar Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili ofroi përkrahje të fuqishme për Ministrin Matoshi në garën e tij për deputet në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij Ministri Matoshi do të përfaqësoj denjësisht interesat e qytetarëve te Kamenicës, komuna kjo që me vite ka mbetur mbrapa.
Presidenti Pacolli kërkoi nga qytetaret kamenicas mbështetje për koalicionin AKR-NISMA-PD, koalicion ky që sipas tij do të bëjë ndryshimin e duhur në Kosovë, duke zhvilluar vendin e duke ofruar punësim për të rinjtë.
Në përkrahje të Matoshit, foli edhe këshilltari i tij zviceran, Pierre Kohler, i cili e vlerësoi ministrin si njëri të përkushtuar dhe të dëshmuar në punën e tij si Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Matoshi, duke falënderuar të gjithë qytetaret e pranishëm për mbështetjen e tyre ndaj tij, u zotua që përkushtimi i tij për rritjen e investimeve në këtë komunë nuk do ndahet asnjëherë.
Ai theksoi po ashtu që do të punojë që Kamenica të këtë trajtim dinjitoz nga institucionet qendrore të Kosovës, përkrahje më të madhe në projekte infrastrukturore dhe krijimin e kushteve më të mira për edukimin e gjeneratave të reja.
Në këtë takim u bë edhe prezantimi i kandidatëve tjerë për deputet nga Aleanca Kosova e Re.