Site icon Telegrafi

Bahtiri: Nuk ka koalicion me PAN-in 

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, njëherësh nënkryetar i AKR-së ka bërë të ditur se AKR–ja mbrëmë ka vendosur që të mos bëjë koalicion me PAN-in.

Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se do të rikandidoj për pozitën e të parit të Komunës së Mitrovicës, ku sipas tij, fitorja do të jetë e pakontestueshme.

“Dje mediat kishin shkruar se unë nuk do të rikandidoj për kryetar të Mitrovicës, por pasi që isha në ceremoninë e varrimit të Bajram Rexhepit, e kam pasur telefonin mbyllur dhe nuk kam mundur t’iu përgjigjem thirrjeve të mediave dhe të qytetarëve, për shqetësimet e të cilëve më vjen jashtëzakonisht keq”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka theksuar se familja ka qenë e shqetësuar shumë me lajmin se ai nuk do të jetë në garën e 22 tetorit, të cilët pastaj sipas tij, bënë një apel publik që ai të rikandidoj.

“Unë i garantoj qytetarët e Mitrovicës se do të jem çdoherë me ta dhe do të punoj për ta. Pra, unë do të rikandidoj prapë për kryetar të Mitrovicës, ku fitorja do të jetë e pakontestueshme, duke pasur parasysh punët që i kemi bërë së bashku me qytetarët dhe ekipin më të cilin i hyj kësaj gare. Pjesë e ekipit tim do të jenë njerëzit më të devotshëm që vijnë nga gjiri i popullit, ku sot do ta prezantoj listën me 38 kandidatët e AKR-së për asamble komunale, të cilët janë njerëzit me të denjë të Mitrovicës për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve”, ka shkruar Bahtiri. /Telegrafi/

Exit mobile version