Telegrafi

AKR-ja e Pacollit shpall zgjedhjet e brendshme të partisë

Aleanca Kosova e Re, në mbledhjen e përbashkët të Këshillit Drejtues, Kryesisë së Forumit Rinor dhe Kryesisë së Forumit të Gruas së AKR-së, zyrtarisht shpalli zgjedhjet për strukturat e brendshme të partisë në të gjitha nivelet, njofton komunikata.

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se rikthimi i Aleancës Kosova e Re, do të ketë bazën në punën intensive dhe të sinqertë të këtij subjekti politik, duke shtuar se “përveç anëtarësisë së AKR-së e cila është aktive, tashmë ekziston edhe një numër i madh i njerëzve të cilët kanë shprehur interesim që t’i bashkohen këtij subjekti politik”.

Siç njofton AKR, me këtë proces Aleanca pretendon t’i zgjedh organet e reja drejtuese të partisë, duke pretenduar gjithashtu edhe shtrirjen dhe zgjerimin e saj të mëtutjeshëm me ardhjen e një numri të madh të anëtarëve të rinj të cilët tanimë e kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre që t`i bashkohen programit politik të AKR-së, thuhet në kumtesë të partisë.

Për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në AKR, sot është përcaktuar puna, funksionimi, komisionet përkatëse, si dhe çështjet tjera me rëndësi, për procesin e zgjedhjeve të brendshme dhe organizimin e Kuvendit Qendror të partisë si dhe Kuvendet e Degëve dhe të Nëndegëve.

Me propozim të Pacollit, Këshilli drejtues i AKR-së sot ka zgjedhur anëtarët e Komisionit për monitorimin e zgjedhjeve të brendshme në Kuvendin Qendror të AKR-së. Ky komision për monitorimin e zgjedhjeve ka funksionin e certifikimit të të gjithë procesit zgjedhor brenda partisë politike Aleanca Kosova e Re.