Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit e mbajti mbledhjen e tij të 79-të, kryesuar nga Petrit Gashi, ku u diskutuan çështje të shumta të përcaktuara me rendin e ditës dhe u morën vendime të rëndësishme në lidhje me zbatimin e mandatit të AKP-së.
Në këtë mbledhje raportoi Komiteti i Auditimit i Bordit të Drejtorëve me ç’rast u diskutua për adresimin dhe zbatimin e të gjeturave të Auditorit të brendshëm dhe të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Bordi i Drejtorëve diskutoi për ndërmarrjen shoqërore “Trepça” nën administrimin e AKP-së, e cila trajtohet me prioritet nga ana e Agjencisë dhe konsiderohet me rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës dhe në këtë kuadër Bordi u informua nga menaxhmenti për aktivitetet në këtë ndërmarrje dhe shqyrtoi raportin mujor të punës. Bordi, në vazhdën e vizitave të punës u pajtua që në ditët në vazhdim të vizitoj Trepçën, njësinë në veri të Komunës së Mitrovicës.
Gjatë kësaj mbledhje Bordi shqyrtoi dhe e aprovoi marrëveshjen e rishikuar në mes AKP-së dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës për sa i përket procesit të shpërndarjes së pjesës së 20 përqindëshit për ish-punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore dhe ndihmën në hartimin e listave të punëtorëve legjitim përfitues.
Po ashtu Bordi u njoftua me raportin përfundimtar të Autoritetit të Likuidimit për ndërmarrjen shoqërore KB Xhafa, i cili do ti dorëzohet Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për aprovim.
Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe kërkesa e Komunës së Rahovecit dhe u dha pëlqimi që në pronën e ndërmarrjes shoqërore “Podrima” të ndërtohet një objekt i përkohshëm “Teatri Veror” në Hoqën e Madhe.
Bordi po ashtu aprovoi rekomandimin e Autoritetit të Likuidimit për marrëveshjen e re të qirasë së aseteve të NSh-së me Federatën e Futbollit. Veç kësaj aprovoi edhe dhënien me qira të asetit të NSh “Ereniku-Industria”, në vendin e quajtur Piskotë, në përputhje me procedurat dhe metodologjinë për përcaktimin e çmimit të qirasë që parashihen me Rregulloren për qiradhënie.
Mbledhja e ardhshme e Bordit është caktuar për 21 shtator 2016. /Telegrafi/