Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) njofton se Bordi i Drejtorëve të Agjencisë ka vendosur për transferimin e “Fondeve të Mbetura” të likuidimit në vlerë prej 42.16 milionë euro në Fondin e Konsoliduar të Kosovës.
“Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte identifikuar një numër të ndërmarrjeve shoqërore dhe të aseteve në të cilat edhe pasi janë përmbushur të gjitha kërkesat e vlefshme të kreditorëve (përfshirë ruajtjen e fondeve rezervë sipas nenit 42 të Shtojcës së Ligjit të AKP-së për ankesat e regjistruara në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës apo për shpenzimet e ardhshme të likuidimit), kanë mbetur ende fonde”, thuhet në njoftimin e AKP-së, përcjell Telegrafi.
Përveç këtyre fondeve, AKP kishte bartur fonde tepricë edhe më parë, ku në korrik të vitit 2012 shuma e bartur ka qenë 28.9 milionë euro dhe në dhjetor të vitit 2015 ishte 61.3 milionë euro. Prandaj, vlera e tërësishme e fondeve të bartura nga AKP në Fondin e Konsoliduar të Kosovës që nga fillimi i procesit të likuidimit deri më tani ka arritur shumën prej 132.3 milion euro. /Telegrafi/