Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është vënë këto ditë në dijeni për shqetësimin e ish-punëtorëve të Fabrikës së tubave, lidhur me shitjen për skrap të makinerisë së një reparti të IMK Pipe Factory L.L.C., si dhe me sqarimet e dhëna nga menaxhmenti i fabrikës se po ndodh ndërrimi i pajisjeve të vjetra me makineri të reja për prodhimin e gypave.
“Meqë komunat nuk kanë asnjë kompetencë lidhur me pronat e privatizuara, as kanë qenë pjesë e privatizimit të ish-ndërmarrjeve shoqërore, kryetari i Ferizajt kërkon nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që të sqarojë publikisht kompetencat e saj ndaj Fabrikës së tubave, të drejtat dhe obligimet e pronarëve të fabrikës ndaj AKP-së, si dhe të drejtat e ish-punëtorëve të kësaj fabrike, në mënyrë që të pushojnë shqetësimet e ndërsjella”, thuhet në një komunikatë për media nga zyra e kryetarit Sfarqa.
Sqarimin e AKP-së, kryetari i Ferizajt e sheh si një borxh edhe ndaj opinionit publik, i cili prej vitesh përgjithësisht ka shfaqur pakënaqësi ndaj procesit të privatizimit në Kosovë dhe dukurive që e kanë shoqëruar atë. /Telegrafi/