Telegrafi

AKP mbylli Tregun e gjelbër në Prishtinë

Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka mbyllur tregun e gjelbër në Prishtinë. Kjo, sipas agjencisë, u bë për shkak se tregtarët nuk po i përmbahen kontratës që kanë me këtë institucion. Nga ana tjetër, disa nga tregtarët që kanë qenë të rregullt me pagesa, kanë protestuar para dyerve të tregut.

Këta tregtarë, të cilët për vite të tëra vend pune e kanë tregun, kanë mbetur në rrugë.

Nga e enjtja ata nuk mund të hyjnë në treg, ngase atij i është vënë dryni.

Arsyeja e mbylljes është shkelja e kontratës nga tregtarët, thotë AKP-ja.

“Tregtarët që shfrytëzojnë hapësirat në treg, me kontratat e nënshkruara me AKP-në, kanë obligim të bëjnë pagesa mujore, ndërkaq një numër i tregtarëve nuk i kanë respektuar kushtet e kontratës dhe Agjencia ua ka ndërprerë përkohësisht atyre punën në treg. Kjo masë do të jetë në fuqi derisa tregtarët të tregojnë përgjegjësi dhe t’i kryejnë obligimet ashtu siç parashihet me kontratë”.

Por, disa nga tregtarët që kanë protestuar kanë treguar kontratat, të cilat, sipas tyre, nuk i shkelën dhe se ishin të rregullt me pagesa.

Tregu i Gjelbër në Prishtinë është në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Tregtarët e akuzojnë vetë AKP-në për keqmenaxhimin e kësaj hapësire.

Tregu i Gjelbër është nën menaxhimin e AKP-së me status të ndërmarrjes shoqërore.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, vazhdimisht ka kërkuar që tregu të mos privatizohet, por t’i kalojë komunës në menaxhim, megjithatë AKP-ja tregun e ka nxjerrë në likuidim.