Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka lëshuar rreth 600 asete me qira në kohën kur ky institucion ka qenë pa bord funksional.
Në fund të vitit 2014 dhe kryesisht gjatë vitit 2015, janë lëshuar me qira pjesa më e madhe e këtyre aseteve, shkruan sot Koha Ditore.
Bazuar në listën e aseteve të lëshuara me qira, që është publikuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, edhe gjatë vitit 2016 ka vazhduar lëshimi i aseteve me qira, mirëpo me një ritëm më të ngadalshëm.
Pjesa më e madhe e këtyre aseteve janë lëshuar me qira pa tenderë publikë, dhe bazuar në një rregullore e cila nuk ka marrë miratimin e Bordit të AKP-së, siç e kërkon neni 15 i Ligjit të AKP-së.
Mediat kishin raportuar për lëshimin e kundërligjshëm me qira nga AKP-ja, në shtator të vitit 2015. /Telegrafi/