Punëtorët e Fabrikës së Tubave nuk do t’i marrin milionat që i kishin kërkuar për shumë vjet nëpërmjet proceseve gjyqësore, grevave, protestave dhe apeleve publike, shkruan sot Koha Ditore.
Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka konstatuar se Ligji për menaxhimin e financave publike i obligon ata që “fondet tepricë” t’i derdhin në buxhetin e Republikës së Kosovës. Kësisoj, është bërë i pazbatueshëm vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 30 prill 2014, që është marrë në kohën kur kryeministër ka qenë Hashim Thaçi, i cili kërkon që AKP-ja t’u paguajë punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhjetëra miliona euro.
“Duke iu referuar vendimit nr. 102/2014, të datës 30 prill 2014 të Qeverisë së Republikës të Kosovës, ky vendim nuk e liron Agjencinë nga përgjegjësia ligjore që sipas nenit 19.3.3 të Ligjit të AKP-së t’i transferojë ‘fondet tepricë’ Qeverisë së Kosovës, të cilat fonde tepricë trajtohen sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë”, thuhet në konstatimet që ka bërë Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. /Telegrafi/