Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sqaron opinionin e gjerë se situata e krijuar në ndërmarrjen “Llamkos” ka ardhur si pasojë e inicimit të procesit të falimentimit të blerësit të kësaj ndërmarrje, kompanisë “Coresteel”, dhe se ky veprim nuk ka ndodhur me kërkesë të AKP-së.
Kompania “Coresteel’’ Shpk, si blerës i aseteve të ndërmarrjes së Re “Llamkos Steel”’ Sh,p.k., me aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë numër 1/2015, datë 23.01.2015, është futur në procedurë të falimentimit dhe Gjykata ka caktuar administrator të ndërmarrjes në falimentim.
Falimentimi i ndërmarrjes është bërë me kërkesë të Kreditorit “Standard Bank” PLC, me seli në Mbretërinë e Bashkuar për borxhin që “Coresteel” Sh.p.k. ka ndaj kësaj banke.
“Llamkos” është shitur përmes shitjeve të aseteve me likuidim në muajin gusht 2011 dhe ka qenë nën monitorim për periudhë pesë vjeçare që i bie deri në datën e njejtë të vitit 2016.
Blerësi kishte marrë obligim për të investuar një shumë prej 100 milionë euro brenda pesë vitesh (25 milionë euro në fazën e parë, 45 milionë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 30 milionë euro), si dhe për punësimin e numrit të përgjithshëm prej 1861 punëtorëve (437 punëtorë në fazën e parë, 637 punëtorë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 787 punëtorë).
Mirëpo, blerësi sipas raporteve të monitorimit dhe të Auditorëve të jashtëm, nuk përmbushi zotimet dhe AKP në përputhje me kontratën e shit-blerjes ka aplikuar ndëshkimet financiare për çdo muaj, pas shkeljeve të kushteve të kontratës që janë bërë nga ana e tij.
Për fazën e parë janë shqiptuar dhe u janë dërguar blerësit gjoba në shumë 1 milionë e 715 mijë e 485 euro. Për këtë shumë të gjobave të shqiptuara si dhe për dëmet e shkaktuara të llogaritura për fazën e dytë dhe të tretë AKP do të dorëzojë kërkesë kreditore tek Administratori i caktuar nga ana e Gjykatës.
Gjithashtu, AKP do të bëjë kërkesë tek Administratori i Ndërmarrjes që të jetë e përfaqësuar në Bordin e Kreditorëve, i cili pritet të themelohet pasi të përfundojë periudha e paraqitjes së kërkesave kreditore që është caktuar deri 23 mars 2015.
AKP sqaron opinionin se nuk ka qenë në dijeni për vendosjen e pronave të ndërmarrjes “Llamkos” në hipotekë nga ana e blerësit, por edhe kontrata e shit-blerjes nuk ia ka ndaluar blerësit këtë veprim dhe nuk ka pasur ndonjë kufizim për blerësin mbi vendosjen e pronave të “Llamkos” në hipotekë.
Për këtë arsye AKP nuk ka mundësi të bëjë shkarkimin e pronave nga hipoteka, sepse shitja e këtij aseti është realizuar përmes likuidimit. /Telegrafi/