Pallati i Rinisë Kulturës dhe Sporteve, ish – Boro dhe Ramizi, shumë shpejt do të dalë në shitje. Vendimin për ta futur në likuidim këtë ndërmarrje e ka marrë Agjencia Kosovare e Privatizimit. Gazeta Express merr vesh se kjo po bëhet për shkak të borxhit prej rreth 3 milionë eurosh ndaj ish- depoistëve (shfrytëzuesve të depove në Pallatin e Rinisë).
Bordi i AKP-së në mbledhjen e mbajtur me datën 28.04.2016 ka vendosur që ta likuidojë Ndërmarrjen Shoqërore “Pallati i Rinise Kulturës dhe Sporteve” ish Boro dhe Ramizi.
“Arsyeja e vendosjes se Ndërmarrjes në Likudim ishte borxhi në vlerë prej rreth 3 milionë euro ndaj ish depoisteve (shfrytëzuesve të depove në Pallatin e Rinisë) të cilët u dëmtuan në Rastin e djegës se Pallatit ne vitin 2000, me ç’rast Gjykata nxori fajtor Pallatin e Rinise dhe e detyroj te kompensoj demin ndaj paditësve ne ketë rast Kreditoreve”, thuhet në njoftimin që ka siguruar Express.
Gazeta Express ka mësuar se me vendosje në likuidim do të ndërpriten marrëdhëniet e punës te gjithë punëtoreve dhe do te pezullohen te gjitha aktivitetet e Pallatit, deri ne një vendim te radhës nga Autoriteti i Likuidimit.
Express ka provuar të marr informata për këtë çështje edhe nga drejtues të Pallatit të Rinisë, por ata nuk kanë pranuar të flasin.
Derisa, në AKP kanë thënë se gjatë ditës së sotme do të lëshohet një njoftim për media lidhur me vendimet që ka marr. /Gazeta Express/Telegrafi/